Paratë nga rritja e çmimit të naftës do t’i marrin pensionistët – faxweb


Kryeministri Edi Rama deklaroi se të gjitha të ardhurat shtesë të mbledhura nga rritja e çmimit të naftës, si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme, do t’u shpërndahen pensionistëve përmes bonusit të verës. Ai bëri të ditur se shpërndarja e bonusit prej 5 mijë lekësh të rinj ka nisur që nga dita e djeshme.

Gjatë një takimi me pensionistët, kryeministri Edi Rama u ndal te bonusi i verës, duke theksuar se ai nuk lidhet me fushata zgjedhore, por me angazhimin e qeverisë për të mbështetur pensionistët sa herë që e lejojnë mundësitë buxhetore.

Sipas kreut të qeverisë, të ardhurat shtesë të krijuara nga rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, nuk do të mbeten në buxhetin e shtetit, por do t’u kalojnë pensionistëve.

“Të gjitha të ardhurat që erdhën nga rritja e çmimit të naftës nga lufta, do t’i merrni ju”, u shpreh Rama.

Ai kujtoi se edhe vitin e kaluar bonusi u shoqërua me akuza se po jepej për arsye elektorale, por theksoi se këtë vit nuk ka zgjedhje dhe masa është pjesë e politikës së mbështetjes sociale.

Kryeministri njoftoi gjithashtu se qeveria ka nisur zbatimin e vendimit për dyfishimin e ndihmës financiare për personat me aftësi të kufizuara, si dhe për fëmijët me aftësi të veçanta.

Ai bëri të ditur se shteti do të mbulojë edhe pagesën e sigurimeve shoqërore për kujdestarët e personave me aftësi të kufizuara.

Në fjalën e tij, Rama foli edhe për mbështetjen e biznesit të vogël, duke njoftuar se garancia sovrane është rritur në 50 milionë euro.

Sipas tij, kjo do t’u krijojë mundësi sipërmarrjeve të vogla të përfitojnë kredi me kushte më të favorshme, falë garancisë së shtetit.



Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *